

E drejta europiane ka lindur dhe zhvillohet në kushtet e reja politike, ekonomike e shoqërore, ku elita politike udhëheqëse arriti të miratonte normat e para të krijimit të organizmave që do të krijonin mundësi për përparim e bindje për reformime drejt bashkësisë së shteteve dhe për hedhjen e hapit drejt federalizimit të supershtetit si fuqi e re gjeopolitike dhe gjeostrategjike, krahas atyre të njohura të kohës sonë.
E drejta kushtetuese është pjesa më e rëndësishme e së drejtës europiane për vetë rolin parësor që ka kushtetuta e Bashkimit Europian dhe normat që ajo sanksionon.
Kushtetuta është kurora që ligjëron dhe individualizon vullnetin e popullit dhe të shtetit sovran që ai dëshiron të ketë.
Ajo emërton, krijon, ndërton dhe rregullon gjithë veprimtarinë e sistemit politik e juridik, të të drejtave e lirive, pronës, sigurisë, bashkëjetesës së shtetasve të Bashkimit Europian.