"Nuk kisha çfarë të bëja, ai qe fati im, sepse ashtu e kishte përcaktuar Ai që është atje lart", tha ajo dhe ngriti gishtin nga qielli.
JETË NË MËKATE është një rrëfim i gjatë për jetën dhe humbjen, për dashurinë dhe pasionin, për zgjedhjet që njeriu bën në jetë, nisur herë nga ndjenja e thellë dhe herë nga joshja e momentit, mendjelehtësia apo edhe lakmia për më tepër, por edhe për fatin që shpesh ndikon dhe i dikton zgjedhjet e tij. Rrëfime jetësh të gërshetuara, me përjetime njerëzore dhe dështime, mëkate dhe ndjesi faji që dhembin dhe rëndojnë dhe që duket se përvijojnë të ardhmen.
Mbi të gjitha, një roman për familjen dhe vazhdimësinë, për ata që i japin kuptim jetës dhe e pasojnë atë.