30 Janar
23:13
Qysh në fillim të viteve ’70, porsa kishte mbaruar universitetin për letërsi, si dhe për talentin e tij si poet i ri, Thanas Dinon e kishin mbajtur në gazetën “Drita”. Por asaj kohe, kur ëndrrën për t’u bërë një poet e shkrimtar e mirë e mbante nën sqetull, fryu një erë e ftohtë gjithandej arteve dhe letërsisë, e quajtur “Plenumi i IV” apo “Plenumi i Zi”, dhe vetëm pse shkroi dy vargje ku buiste një metaforë e bukur dhe veten e quajti “fik deti”, e dëbuan nga Tirana dhe e shpunë fshatrave të Gjirokastrës, prej nga edhe qe. E la veten në rrjedhën e kohës dhe koha shëron, thuhet. Thanasi ndoqi udhën e tij të jetës, u bë një gazetar i njohur dhe shkrimtar i vyer.
Ka botuar rreth 17 tituj librash të ndryshëm. Romanin “Shenja e shenjtë” kam pasur rastin ta përcjell në shtyp. “Nata me dy hëna” dhe “Vetëvrasja mbi trëndafil” janë dy romanet e tjerë, por i fundit, romani “Mesi”, për të cilin dua të shprehem, është i llojit epik, ani pse me vëllim të ngushtë, 110 faqe, është një roman epope. “Epope” është fjalë e madhe, por unë ndjek atë fjalën e urtë se nuk ka rëndësi masa, sasia por thelbi, cilësia.
Në rastin e këtij romani kjo çka thashë është kuptimplote. Pak faqe, por ka aty një prozë të ngjeshur, ku përtej fjalës lëviz imazhi, lëviz ajo çka mbetet poshtë saj, është rrënja, nënkuptimi, heshtja, parafytyrimi, bota si e tërë. Më fjalën “bota” kam parasysh qerthullin ku i vendos ndodhitë dhe personazhet romani: krahina dhe fshatrat e minoritetit grek në rrethet Sarandë-Delvinë. Ngjan se aty lëviz një shpirt me emrin Thimjo Loli, një kapedan i njohur i atyre anëve, por brenda dhe jashtë tij lëviz shpirti i krejt njerëzve të asaj zone. Është një shpirt i trazuar, me histori të shumta, me gjëra të kahershme e të fundme njëherazi.
Një shpirt që digjet për vetveten dhe me vetveten. Që përballet me kohën dhe i bishtnon asaj. Që luan me fatin dhe bëhet bulb i historisë. Dino lë shumë gjëra të merren me mend, nuk e pëlqen përimtimin, hollësitë e tepërta. Një dialog me pak fjalë thotë më shumë se tjerrjet e lodhshme të saj. Po kështu ngjet edhe me ravijëzimin e personazheve. Ata duken sikur dalin nga baladat. Mes tyre mugullon e jashtëzakonshmja, mitet, e përveçmja, ajo që haset rrallë ndër njerëz e rrjedhën e historisë. Imagjinata e lexuesit ndizet saora teksa dy-tri vija hidhen për të folur për një ngjarje, një gjëzë a një gjëmë, një personazh, një situatë shpirtërore. Dhe ai, lexuesi, e ka tashmë në dorë ndodhinë, gjithë përroin e furishëm të mendimeve dhe ndjenjave. Shkrimtari s’duket, ka humbur te personazhi, është shkrirë aty. Porse furia e shpirtit duket, ama! Sikur vetëm skenën e fundit të romanit të marrësh, largimin e Thimjo Lolit nga Vurgu dhe fshatrat e tij drejt Korfuzit, luhatjen e varkës mbi valët e detit të trazuar dhe luhatjen e shpirtit të tij, po njësoj i trazuar si deti, ikjen e përmallshme, ndoshta largimin përfundimtar nga vendi ku kishte lindur e ish bërë ai që ish, kapedani i asaj krahine – vetëm kaq mjafton të kuptosh gjithë dëshpërimin e tij, ndryshimin e kohës, rrokapjekthi, furtunën e historisë që luante me fatet e popujve si dhe vetë krenarinë e një burri që thërrmohej atyre valëve në mall dhe humbje së bashku…
“Mesi” nuk është një roman i sheshtë, lëkure lëmuar, plot përkëdheli e dufe lirike. Dino nuk kujdeset, madje, as për këtë lloj ligjërimi, që rëndom merr lëvdatat e merituara të diçkaje të ujdisur bukur, të “qëndisur”, pra të një beletristike, një letërsie që derdh fjalë të lëmuara, poetike e ato rrëshqasin si në gjalpë. Jo! Është tjetër lloj stili. Dhe jam krejt i bindur se ai është vetjak, i pa hasur nga diku a dikush tjetër. Prandaj dhe origjinal, përjashtimisht i Thanasit. Nga kjo dritare, mua ky roman më ngjan si i mbushur me zgërbonja, gunga, nyja e lytha, të cilat ia japin personazhet e tij, historitë e tyre. Janë vërtet personazhe të mëvetshëm kryekreje. Kanë një kokëkrisje që të gjithë, diçka përtej rregullit dhe normës që do t’i tubonte në një kategori sociale, qoftë dhe politike a morale. Janë në dritë-hije. Fushë e mal bashkë, lumë e det. Kanë diçka (s’besoj se gaboj) nga personazhet e Dritëro Agollit në vëllimin me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, ose në romanet “I teti në bronz” (Sali Protopapa, Rrapo Tabani), “Njeriu me top” (Mato Gruda, Mere Fizi). Madje-madje, meqë më kanë tronditur dikur në rininë time, personazhet e këtij romani ngjajnë, si prerje dhe formë shpërfaqjeje, me personazhet e romaneve të Shollohovit. Janë, pra, ashtu të mirëqenë, ashtu të habitshëm, me huqe, vese dhe tipare të papërsëritshme. Ndër ta dua të veçoj komandantin e çetës së Ballit Kombëtar, Jahja Jazon, ku edhe me portretin autori “luan” e na sjell një njeri çudan, me mjekrën gjer në brez, që kur ulej të pinte kafe në rrapin e Delvinës, ajo i shtrohej mbi tavolinë si fshesë; ose kapedanin Thimjo Loli, grek i minoritetit në fshatrat e Vurgut të Sarandës, që një kobure e fshihte në leshrat e gjata dhe shkonte e vinte udhës së vdekjes mendjeshkrepur, pa ia bërë tërr syri: o m’u shfaq ballas, o m’u shporr sysh se ta zura sinor!..
Një djalë me emrin Stefan, që ia kishin vrarë babanë partizanët dhe ia kishin lënë pa varr, ish hedhur me Ballin duke iu gjegjur hakmarrjes së tij vetjake. Hakmarrja mëkonte hakmarrjen dhe lufta e humbte kështu prijësin e vet politik, idealin: kthehej në një luftë vëllavrasëse. Hakmarrja e tejkalonte vetë vdekjen, bënte llogari gjer dhe me kufomën, duke shkelur një nga zakonet e shenjta të njeriut: kufoma i përkiste vdekjes, pra ritit të mortit nga të afërmit e gjakut, dhe jo hakmarrjes së të gjallit apo “idealit”. Ky ligj human, madje antropologjik, i ardhur qysh nga gjesti fisnik i Akilit kur ia dorëzoi trupin e Hektorit mbretit Priam që ta varroste e t’i bënte nderimet e vdekjes, ishte shkelur në luftën dhe urrejtjen e hapur cep më cep ndër shqiptarët e grekët në dy kampet e përplasjes dhe konfliktit: komunistëve dhe ballistëve, “internacionalistëve” dhe “nacionalistëve”. Qysh në thyerjen e kodeve të hekurta të jetës, të vërtetuara nga historia dhe shekujt e luftës-paqes, shkrimtari dallon edhe karakterin terrorist e antihuman të qëndrimeve të skajshme të të dyja kaheve të politikës, një urrejtje që e tejkalon dhe e shkel rëndë arsyen. Dhe kjo urrejtje është thuaj e baraslarguar si nga komunistët, ashtu dhe nga ballistët. Nëse ballistët e Jahja Jazos ia grabitën florinjtë me koburen mbi ballë banorëve të Llakos në Delvinë të lidhur me komunistët dhe ia dogjën shtëpinë Bllacajve si të parët e komunistëve dhe gjithë të tjerëve që qenë me ta, komunistët shkuan dhe më tutje, e gjetën motrën e komandantit të ballit, e zhveshën lakuriq dhe e shëtitën rrugëve të Vergoit duke e turpëruar, derisa e vranë dhe ashtu e lanë, lakuriq. Se në mos të tilla veprime, të ngjashme kish bërë edhe ky komandant i sertë ballist, duke u futur grave të partizanëve macet nën çitjane, duke ua gërricur shalët e buta teksa ai u binte me thupër, tortura më e pashpirt e një mendjeprishuri. Përfytyroni cazë gjestin e Vatavalit, një njeri i urtë, i dëgjuar e me fe, i cili kish bërë të padëgjuarën teksa dy çeta greke të minoritetit luftonin me shoqja-shoqen për t’u hapur kafkat. Ky njeri kish hyrë në mes, i hapur mes plumbave dhe kish gjëmuar që ta linin marrëzinë. Një plumb qorr e kish zënë në mes. Kur hija e tij ra përdhe, ranë në zhur edhe pushkët e të gjithëve nga të dyja palët. Skenë vërtet e bukur, me pak radhë, por me shumë imazh, krejt filmike, ku heshtja dhe e pathëna nënkuptohen dhe na vijnë si nëntekst. Personazh i këtij romani është Lufta II Botërore. Ajo sundon, shkrihet mes bëmash, paracakton sjelljet e personazheve. Megjithatë ka një që duket si “rrapi i fshatit”. Ky është Thimjo Loli. Ikën e vjen faqeve të librit, diku humbet e diku rishfaqet, por ai aty mbetet: ose i pranishëm, ose i nënkuptuar. Është një kapedan grek i minoritetit në zonën e Vurgut të Sarandës. I ngjan një cungu me rrënjët ngulura thellë tokës ku ka lindur dhe është rritur. Por koha e Luftës dhe ndryshimeve të mëdha që ndodhin po e shkul atë rrënjë dhe po e degdis s’dihet se ku. Ai merr udhën deteve, si Odisea qëmoti, për t’u kthyer në Itakën e tij pas luftërave të gjata në Trojë. Por Korfuzi ku po shkon nuk është tamam Itaka e tij, është dheu dhe ishulli përballë që e lag po ai ujë, një karakoll i vjetër kujtese i atdheut, Greqisë. Itaka e tij janë toka dhe fshatrat ku ai ka lindur, ku është rritur, ku ish bërë kapedan e mbrojtës i saj. Itaka qe krahina e Vurgut. Prej saj po largohej me sytë e kthyer pas dhe detin në mes. Kish ngarkuar një ëndërr mbi shpinë, “Autonominë e Vorio-Epirit”. Ëndërr që i ishte bërë zhgjëndërr. Askush nuk e donte më atë ëndërr, të gjithë e kishin braktisur: një palë me sloganin e vëllazërimit të popujve e vendeve, ku kufiri midis tyre do të zhdukej (komunistët këndej e andej kufirit, pra “festet e kuqe”) dhe një palë me sloganin e krijimit të një shteti me dy vende, dy atdhe, federatës greko-shqiptare (pushtuesit italianë e gjermanë, Balli Kombëtar dhe “festet e zeza” të nacionalizmi grek). Në mes tyre ishte Thimjo Loli, kapedani që dukej sikur vinte nga zgafella e historisë. Dëshira, ëndrra dhe projekti i tij ishte një dështim, një ëndërr për shumë grekë, shpesh e keqpërdorur nga politika. Gjithsesi një ëndërr. Dhe ëndrrat, përveç ankthit, e mbajnë shpresën ndezur. Dhe, ndoshta, shpresa fle më shumë jo aq te mitologjia apo antropologjia e Thimjo Lolit, por tek ajo prirje kozmopolitiste e të ardhmes kur jo “toka”, “atdheu”, “miti’, “historia” janë qendra, por NJERIU si qenie, instinkti dhe ontologjia e tij për të jetuar në paqe, i sigurt dhe bri TJETRIT. Kjo, me sa duket, është BASHKËSIA më e madhe që sjell qytetërimi i sotëm.
Personazhi i dytë që ka një qëndistari për t’u pasur zili është figura prej kaçaku dhe çudani e komandantit ballist, Jajha Jazo. Ky njeri duket sikur vjen nga legjendat dhe historitë e cubave, që mbushnin dikur udhët e Shqipërisë otomane. Trim që s’e bën nëna (në konceptin shqiptar të fjalës), sfidant, i pamëshirshëm, hajdut, por edhe i fjalës, i hakut, i zullumit. Diçka nga tmerret dhe hajdutëritë e Ali Pashës në të ri të tij të kujton. Portreti, bëmat dhe gjesti i tij, me fare pak fjalë, vijnë në mendjen e lexuesit gjithë përshkënditje, imazhe e fanitje mbresëlënëse. Të kall frikën, sa dhe kërkon të ndeshesh me të me pisqolla, sy ndër sy, siç ai bën dhe me një sivëlla të vetin, Sali Vranishtin, kur gjuajnë ndaj njëri-tjetrit dhe u rrëzojnë qeleshet me plumb. Ka shumë folklor ky Jahja Jazua në të tërën e tij, është me të vërtetë një qasje e thukët antropologjike shqiptare, një farë “druri i pagdhendur” pylli a një shkëmb mali, gjendur atje prej shekujsh… Fundi i romanit, paçka se mitin e atdheut nuk e lëshon nga dora, kryesisht përmes personazhit të kapedanit Thimjo Loli, që e lë Atdheun e “vogël” dhe shkon tek Atdheu i “madh”, në nënshtresë dhe në atë që mund ta quajmë kuptimësia universale, përtej tekstit të mbyllur, ky fund të çon vetiu te koncepti i ri, por i një lartësie tjetër: vëllazërimi i popujve, kozmopolitizmi, humanizmi, atje ku ti ndjehesh mirë me vetveten dhe me tjetrin përbri, aspak i shtypur, i cunguar, i poshtëruar apo i keqpërdorur; atje ku toka është e “Zotit” dhe kufijtë humbasin vlerën e kloneve dhe ushtarëve; atje ku ngasjet e urrejtjeve, luftërave, pretendimeve, rivendikimeve zëvendësohen me të tjera gjëra, edhe më të shenjta: pranimin, paqen, dashurinë, respektin. Ky është projekti i së ardhmes së dy vendeve dhe popujve tanë, grekëve dhe shqiptarëve. Asohere kodet e urrejtjeve, dasive, mitologjive “heroike” që prodhojnë përçarje e luftëra, bien poshtë, zhvlerësohen. Një tjetër diell lind. Drejt këtij dielli duket se të çon edhe përfytyrimi i Thanas Dinos në të tërën e fletëve të romanit “Mesi”…
03/04/2018