Kjo përmbledhje është një përzgjedhje tregimesh përfaqësuese, cilësore nga letërsia qipriote, një përfaqësim i kufizuar që i jep mundësi lexuesit shqiptar që nëpërmjet tregimit të njohë arritjet e letërsisë qipriote. Tematika e tregimeve është e larmishme, pasqyron periudhat e ndryshme të tregimit qipriot e të rrethanave historike që e përcaktuan atë. Tregimet me tematikë historike, të cilat zënë edhe pjesën kryesore në këtë përmbledhje, sidomos me ngjarjet pas pushtimit të ishullit, janë të lidhura në mënyrë fiziologjike me historinë dhe jetën shoqërore në Qipro gjatë 45-vjeçarit të fundit.
Në këtë vëllim janë përfshirë autorë të cilët përfaqësojnë thuajse të gjithë shekullin e 20-ë, më vendimtarin për letërsinë qipriote, me një prani të kënaqshme shkrimtarësh që u dalluan apo vazhdojnë të krijojnë ende në ditët tona.