Pranvera që zgjasin më pak se një stinë dhe bien nën dimrin e dogmës së socializmit shqiptar. Diktatorë të vegjël që lulëzojnë edhe pas ikjes së diktatorit të parë.
Ngjarjet e librit ndodhin në një nga zonat më të ngrohta të vendit, në Sarandë, Mesdheun shqiptar. Gazetari Josif Mërtiri, korrespondent i një të përditshmeje, e sheh si një zbulim arkeologjik dhe njerëzit e saj, në bukuri e karakter, i gjen si statuja mermeri. Në një klimë të lirë edhe ata bëhen më të lirë.
Realitet dhe fantazi me ngjyra të ndezura që përpiqen të plotësojnë mozaikun “Dhjetëvjetëshi i fundit”. Vazhdë e romanit kronikë letraro-politik “Vetëvrasja mbi trëndafil”, “Dielli i ulët” rreh të përshkruajë Shqipërinë në fundin e një regjimi që po këmbehet.