Gorki ka thënë për Eseninin se ai është organ i lindur për poezi. Ismail Kadareja është njeriu i lindur për letërsi; ai ka jetuar dhe mund të jetojë vetëm i derdhur në formën e shkrimtarit; edhe bisedën më të zakonshme të jetës së përditshme e artikulon në mendim dhe e shpreh në fjalë me talentin e letërsisë. Në të ai është qenie natyrale, jashtë prishet e shformohet. Ai është revolucionari më i madh i letërsisë shqipe të pas-Luftës së Dytë Botërore besoj; reformoi poezinë, por veçanërisht prozën tonë, derisa dha modelin e një vepre të lidhur si univers, rindërtim në fjalë i ansambleve të gurta të fëminisë në Gjirokastër. Kur lexonim prozën e tij të fillimeve, thoshim, mund të shkruhet edhe kështu, kaq shumë larg ishte ajo prej letërsisë së atrofizuar të një pjese të atyre që ishin shkrimtarë se kishin qenë në luftë ose se ishin komunistë.