Romani “Mbi tokën e ngushtë – vite nga dhjetvjetshi i parë” është i tipit të tablosë, pa atë modelin klasik tradicional të një personazhi që bëhet strumbullari i lëndës, qofshin edhe disa syresh, në funksione kompozicionale të ndryshme, por që ecejaken në fatet e ndërsjellta. Duket sikur je diku në një pikë të epërme dhe e sheh çdo gjë nga lart, për shembull sikur je në Kala apo në Kocull dhe e kundron Gjirokastrën, domethënë njerëzit dhe bëmat e tyre, që andej. Gëlojnë këta njerëz-personazhe në ato rrugë të ngushta, të pjerrta e të kalldrëmta, kredhur në shtëpitë e tyre, mbuluar me rasa guri gri, në vrapin e çmendur të përmbysjeve të mëdha të fillimviteve ’90, ashtu të hutuar, të shastisur nga befasitë dhe shpejtësitë e ndryshimeve pa rend e në rrokopujë, të dëshpëruar a të mbyllur në vetvete, të hazdisur nga liria e beftë e tunduese apo të frikësuar nga të papriturat dhe e panjohura.
Jo thjesht Gjirokastra, por Shqipëria krejt është aty e përthyer përmes këtij qyteti të gurtë e të çuditshëm.