Pak faqe, por ka aty një prozë të ngjeshur, ku përtej fjalës lëviz imazhi, lëviz ajo çka mbetet poshtë saj, është rrënja, nënkuptimi, heshtja, parafytyrimi, bota si e tërë.
“Mesi” nuk është një roman i sheshtë, lëkurëlëmuar, plot përkëdheli e dufe lirike. Jo! Është tjetër lloj stili. Është vetjak, i pahasur nga diku a dikush tjetër. Ky roman ngjan si i mbushur me zgërbonja, gunga, nyja e lytha, të cilat ia japin personazhet e tij, historitë e tyre.
Janë vërtet personazhe të mëvetshëm kryekreje. Kanë një kokëkrisje që të gjithë, diçka përtej rregullës dhe normës që do t’i tubonte në një kategori sociale, qoftë dhe politike a morale. Janë në dritëhije.