Çdo minutë e jetuar nga njeriu është dukuri reale, jo shëmbëllim. Kjo është e para gjë që të vjen në mendje pasi ke lexuar poezinë e Theodhori Prokos. Ndesh aty shumë dukuri që përthyhen në trishtim, në dëshpërim, në zhgënjim, por po kaq të tjera, e mbase edhe më shumë, në besim, në dashuri, në shpresë.
Në leximin e poezive hyn me mendimin se po shfleton ditarin e përditshmërisë dhe del me përshtypjen që të lë udhëtimi nëpër një realitet pa iluzione, ku, gjithsesi, e natyrshmja është e bukur, e bukura është e thjeshtë dhe e thjeshta është e natyrshme.
Pikërisht pse e sheh realitetin pa iluzione, herë-herë Proko lodhet nga dukuritë e tij. Por nuk habitet, e aq më pak mposhtet. Do të ishte e tmerrshme të jetoje me pasigurinë se një ditë mund të mundeshe nga urrejtja nëse nuk do të kishe brenda vetes forcën, madje edhe bindjen se duhet rendur pas zërit të dashurisë.
Kjo kredo e brendshme duket se mbizotëron edhe duelin e heshtur me veten, duel që poeti me ndërgjegje e kthen në një luftë që nuk do të mbarojë kurrë. Ndërron vetëm sheshbetejën: realitetin jetësor me realitetin artistik. Po përsëri mbetet i njëjti realitet: pa iluzione, një dukuri reale, jo shëmbëllim.