“Prishja” është një aksion i gjatë rrëfyes, në të njëjtin pashallëk gjeografik, po nën disa perandori kohore e besimi, që rreh të sjellë ndërgjegje individuale e kolektive të shqetësuara e riformuara nën proceset e këmbimeve dhe mbivendosjeve fetare.
Histori, personazhe dhe figura të dala në një hapësirë të ngushtë e të mbledhur si Tepelena e Gjirokastra, deri tek Ali pasha dhe Enver Hoxha, që kanë sunduar për periudha të gjata fatin e Shqipërisë.
Kryqëzim i versioneve të lexuara e të gojëdëgjuara, bëma e të dhëna që qarkullojnë ende në zonat rreth, po dhe në shtete fqinje, variacione mbi thashetheme e themethashe, gjëra mitike dhe imtësi të ritreguara pas mënyrës e llojit të vet. Ai nuk ngurron të vërë në mëdyshje edhe fakte që ngjanin të patundshme, në një stil që duket si i formuar nga kombinimi i kronikës historike, tekstit gojor dhe frymës tregimtare fetare a të legjendës.