Poezia e Steinar Opstadit është e gjithëkohshme, ose, thënë ndryshe, e pakohë dhe universale. Temat qendrore të poezisë së tij mbeten të fokusuara te qenia dhe vendi i saj në botë, marrëdhëniet me veten, me Zotin, me babanë; marrëdhëniet ndërnjerëzore, që nga dashuria dhe universi i saj, deri te keqardhja, trishtimi dhe moskuptimi. Po aq sa shqetësimi për qenien, i pranishëm në poezinë e tij është edhe shqetësimi për botën vetë, për mënyrën se si njeriu po shkon drejt vetëshkatërrimit, duke injoruar natyrën dhe duke mos reflektuar për pasojat e moskokëçarjes ndaj mjedisit dhe llojeve të tjera të gjallesave, me të cilat ndajmë planetin.