Rigas është pa dyshim poet i lindur, Thurios-i është vepra e tij dhe nuk diskutohet origjinaliteti i saj, siç ndodh me disa vepra të tjera poetike të tij. Por edhe sikur vetëm Thurios-in të kish shkruar Rigas, do të ishte një poet i shquar.
Me këtë poezi kushtrim Rigas fton gjithë ata që vuajnë nën zgjedhë të rrokin armët dhe të luftojnë, fton vëllezërit që kanë ikur në dhe të huaj të marrin pjesë në luftë dhe të fitojnë tituj duke i shërbyer atdheut dhe jo të huajve.
U bën thirrje gjithë popujve të Ballkanit të bashkojnë forcat me grekët dhe të unifikohen tok një lumë i rrëmbyeshëm, i cili do marrë zvarrë tiranin, që në këtë rast është sulltani otoman.
I udhëzon të luftojnë pa frikë, sepse tirani është i pafuqishëm, i trembur: “Mos e mendoni kurrë armikun më të zot, se lepurin në bark e ka tash e sa mot”.
U revokon stërgjyshërit legjendarë, që edhe pse pak, nuk u tutën të përleshen me mijëra armiq.