“Në pamundësi kohe dhe shëndeti,
historinë e mjekësisë shqiptare
po e shkruaj me majën e bisturisë.
Të tjerët le ta shkruajnë me majën e pendës.”
Dr. Frederik Shiroka
“Yjet e mjekësisë shqiptare - I”, shkruar me dashuri nga profesor doktor Fedhon Meksi, rrëfen mirënjohjen ndaj këtyre figurave të shquara të mjekësisë që bëjnë kombin. Doktor Fedhon Meksi me durim e këmbëngulje, duke gërmuar nëpër dokumente, duke përdorur një bibliografi të zgjeruar, duke biseduar me miq e të afërm të mjekëve na ka dhuruar këtë libër të veçantë që na i jep këta mjekë jo vetëm në punë dhe në profesionin e tyre human, por edhe në jetën e tyre shoqërore e familjare.
Mjekët e përshkruar në këtë libër nuk ngurruan aspak të vënë gjithçka në shërbim të Atdheut, sepse Mitrush Kuteli ka lënë porosi në testamentin e vet: “Atdheu është Atdhe edhe kur të vret!”.
Këta mjekë janë: dr. Frederik Shiroka, profesor doktor Selaudin Bekteshi, profesor doktor Petrit Gaçe, profesor doktor Panajot Boga, doktor Jorgji Adhami, profesore doktoreshë Adelina Mazreku, U. M. Doktor Jani Basho.